Përzgjedhja e deputetëve për 23 qershor, socialistët përplasen për listat e kandidatëve



Emrat e deputetëve të PS-së që mbështesin përzgjedhjen tradicionale dhe të atyre që duan përfshirjen e bazës.

Përzgjedhja e deputetëve për 23 qershor, socialistët përplasen për listat e kandidatëve Ethet e përgatitjes së listës së deputetëve, me të cilët Partia Socialiste do të garojë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit, kanë prekur thuajse të gjitha strukturat e selisë rozë, që nga kryesia deri tek anëtarët e saj.

Debati kryesor që po zhvillohet në PS, ka të bëjë me çështjen e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, ku nga njëra anë dita-ditës po shtohen zërat për përfshirjen e anëtarësisë në këtë proces e ku nga ana tjetër një pjesë e mirë e deputetëve janë shprehur pro modelit të 2009-ës, ku ekskluziviteti i përzgjedhjes i takon lidershipit socialist Rama.

Duket se kjo ndarje e re mes socialistëve do ta shoqërojë procesin e përzgjedhjes së listës së deputetëve garues për zgjedhjet elektorale deri në përfundimin e tij, ku shanset më të mëdha janë që kjo përzgjedhje të zhvillohet në thuajse të njëjtët parametra me ata të përdorur në parlamentaret e kaluara. Kjo e fundit duket në faktin se një pjesë e mirë e deputetëve të PS-së, të cilët përbëjnë edhe grupin pranë kreut socialist Rama dhe që e kanë thuajse të sigurt vendin sipër vijës së sigurisë në listat për deputetë, kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër përfshirjes së bazës në këtë proces.

Ndërkohë grupi tjetër kërkon më shumë transparencë në këtë proces përzgjedhjeje, ku ndër mbështetësit kryesorë të modelit të përzgjedhjes nga anëtarësia të deputetëve janë dy anëtarët e kryesisë Erion Braçe dhe Arben Malaj si edhe deputeti Ilir Gjoni. Po ashtu mbështetjen e tyre ndaj përzgjedhjes së deputetëve nga baza e kanë shprehur publikisht edhe dy nga figurat e PS-së, ish-presidenti Rexhep Mejdani dhe ish-kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi.

Debati

Anëtari i kryesisë dhe njëkohësisht deputeti i PS- së, Erion Braçe, replikoi vetëm pak ditë më parë me kolegët e tij për listat e kandidatëve për deputetë, ku theksoi se propozimi për t’i zgjedhur ata me përfshirjen e anëtarësisë së partisë, është në një linjë me zgjerimin e përfaqësimit. Ai nënvizoi në reagimin e tij se një përzgjedhje e tillë përbën një vlerësim real të deputetëve dhe nxittë konkurrencën mes tyre.

“Mendoj gjithnjë e më shumë se fitorja këtë herë vendoset në anëtarësi, përfshirjen e saj, dëgjimin dhe reflektimin ndaj saj, mobilizimin dhe shtimin në aksion. Askund tjetër!”, – u shpreh Braçe në rrjetin social “Facebook”. Më tej, ai duke analizuar deklaratat e deputetëve Marko Bello dhe më parë të Olta Xhaçkës, të cilët kanë shprehur skepticizmin e tyre lidhur me idenë e përzgjedhjes së deputetëve nga baza socialiste, deklaroi dje se fakti më shqetësues mbetet ai që shumica e deputetëve të selisë rozë janë dakord që përzgjedhjen e kandidatëve të bëhet nga udhëheqja e partisë. “Përsëri ka dalë një koleg imi që thotë: Propozimi për të zgjedhur deputetët nga baza e partisë është i vonuar! Një javë më parë një kolege imja shkruante: Propozimi për të zgjedhur deputetët nga baza e partisë është i parakohshëm!!

Para 6 muajsh, kohë kur e thashë këtë publikisht, më e talentuara ndër ta shkroi: Propozimi për të zgjedhur deputetët nga baza e partisë është një vrimë në ujë! Po e tejkaloj faktin që janë të parakorduar. Por shoh me shqetësim një fakt: Janë në një mendje që deputetët të mos i zgjedhë anëtarësia, por udhëheqësia!”, – theksoi Braçe në reagimin e tij.

Sipas deputetit socialist propozimi për përzgjedhjen e deputetëve nga baza ka të bëjë konkretisht me zgjerimin e përfaqësimit të PS-së me njerëz që mbrojnë në kuvend interesat shoqërore. “Ky propozim korrekton edhe sistemin i cili për fat të keq i vizaton 90% të deputetëve si të “emëruar të udhëheqjes”, jo të “zgjedhur të popullit”. Por në anën tjetër bën edhe një vlerësim real të deputetëve, të punës së tyre në një mandat, nxit, rregullon e administron konkurrencën për çdo hyrje të re, e cila, duhet të meritojë qenien në Kuvend prej popullit të partisë, popullit të opozitës e më gjerë, jo thjesht të meritojë vlerësimin e 20 e kusur udhëheqësve!”.

Po ashtu edhe anëtari tjetër i kryesisë Arben Malaj, në kundërshtim me disa kolegë të tij, ka pohuar se përzgjedhja e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 23 qershorit duhet të jetë transparente dhe se duhet të vijë nga baza. “Unë besoj se është i detyrueshëm të jetë transparent dhe mbi të gjitha të jenë të qarta kriteret e përzgjedhjes dhe zbatimi i këtyre kritereve. Mënyrën sesi do konturohet ekipi ballafaques qoftë për zgjedhjet dhe pastaj ekipi qeverisës.

Liderët politikë të të gjitha partive politike, kanë mundësinë ose të ndikojnë pozitivisht në mënyrën sesi bëhet politikë në vendin tonë. Të ndikojnë pozitivisht në kulturën politike në vendin tonë ose të vijojmë të kemi mënyrën e pushtetit absolut, ku liderët politik të kenë mbi partinë e tyre pastaj mbi qeverisjen e vendit”, – u shpreh Malaj. Më tej, deputeti socialist ka nënvizuar se listat e kandidatëve për deputetë nuk duhet të jetë pronë e asnjë individi apo struktura të veçantë. Në të njëjtën linjë është përfshirë edhe deputeti socialist Ilir Gjoni, i cili pak kohë më parë zhvilloi një debat me kreun socialist Rama pikërisht për listat e deputetëve.

Në reagimin e tij pas debatit të “famshëm” për ‘kreun e kooperativës” në Asamblenë Kombëtare, Gjoni do të nënvizonte se kërkesa e tij lidhej kryesisht me një angazhim më të madh të bazës, përmes opinioneve.

“Shtrova nevojën e përpunimit të një qëndrimi realist ndaj problemeve që duhet të jetë fryt i diskutimeve dhe shkëmbimit të gjerë të mendimeve, duke shmangur imponimin e zgjedhjeve të një personi, luhatjet në mendime, influencat e jashtë forumeve dhe mbylljen në rrethe të ngushta nga një herë dhe jo statutore. Kërkohet një tërheqje sa më e gjerë mendimi të forumeve që ta ndiejnë më mirë rolin e tyre dhe sidomos opinionit të bazës” -shkruante deputeti i PS-së në rrjetin social “Facebook”.

Në ditët, javët e muajt në vijim mbetet për tu parë nëse kjo trysni në rritje e kësaj pjesë të socialistëve që kërkojnë përfshirjen e bazës në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë do të ndikojë në ndryshimin e skemës tradicionale të selektimit, ku me shumë mundësi shanset janë që procesi të përmbyllet në të njëjtën formë si në 2009-ën.

Grupi mbështetës i përzgjedhjes tradicionale të deputetëve

Gramoz Ruçi

Sajmir Tahiri

Taulant Balla

Valentina Leskaj

Blendi Klosi
Ditmir Bushati
Eduard Shalsi
Mimi Kodheli

Olta Zhaçka

Ermonela Felaj

Sadri Abazi
Artan Gaçi
Besnik Baraj
Dashamir Peza

Marko Bello

Gjovalin Kadeli

Qemal Minxhozi

Grupi që mbështet përzgjedhjen e deputetëve nga baza

Erion Braçe

Arben Malaj

Ilir Gjoni

Pandeli Majko

Erion Braçe

“Shqetësimi ynë ka të bëjë me zgjerimin e përfaqësimit të PS-së, jo me fjalë, jo thjesht në program, por me njerëz që mbrojnë në Kuvend interesat shoqërorë, ekonomikë, socialë dhe politikë të shtresës nga vijnë. Deri tani kjo është bërë shumë mirë për një kategori, sipërmarrësit! Por kaq nuk mjafton! Së dyti, propozimi për të zgjedhur deputetët nga anëtarësia e partisë, edhe më gjerë se kaq nga populli i opozitës, është në një linje me sa më sipër, pra me zgjerimin e përfaqësimit.

Ky propozim korrekton edhe sistemin, i cili për fat të keq i vizaton 90% të deputeteve si të ‘ emëruar të udhëheqjes’, jo të ‘zgjedhur te popullit. Ky propozim bën edhe një vlerësim real të deputetëve, të punës së tyre në një mandat, nxit, rregullon e administron konkurrencën për çdo hyrje të re, e cila, duhet të meritojë qenien në Kuvend prej popullit të partisë, popullit të opozitës e më gjerë, jo thjesht të meritojë vlerësimin e 20 e kusur udhëheqësve!’”

Arben Malaj

“Listat e kandidatëve për deputetë nuk duhet të jetë pronë e asnjë individi apo struktura të veçantë. Unë besoj se është i detyrueshëm të jetë transparent dhe mbi të gjitha të jenë të qarta kriteret e përzgjedhjes dhe zbatimi i këtyre kritereve. Mënyrën sesi do konturohet ekipi ballafaques qoftë për zgjedhjet dhe pastaj ekipi qeverisës.

Liderët politikë të të gjitha partive politike, kanë mundësinë ose të ndikojnë pozitivisht në mënyrën sesi bëhet politikë në vendin tonë. Të ndikojnë pozitivisht në kulturën politike në vendin tonë ose të vijojmë të kemi mënyrën e pushtetit absolut, ku liderët politik të kenë mbi partinë e tyre pastaj mbi qeverisjen e vendit”.

Ilir Gjoni

“Është i nevojshëm përpunimi i një qëndrimi realist ndaj problemeve që duhet të jetë fryt i diskutimeve dhe shkëmbimit të gjerë të mendimeve, duke shmangur imponimin e zgjedhjeve të një personi, luhatjet në mendime, influencat e jashtë forumeve dhe mbylljen në rrethe të ngushta nga një herë dhe jo statutore. Kërkohet një tërheqje sa më e gjerë mendimi të forumeve që ta ndiejnë më mirë rolin e tyre dhe sidomos opinionit të bazës”.

Çfarë mendoni? Komentoni më poshtë...

Postime të tjera...